Paradoksi në PD: Berisha kërkon të jetë ai që nuk është dhe është ai që nuk duhet!

schedule12:15 - 21 Nëntor, 2021

schedule 12:15 - 21 Nëntor, 2021

Nga Lorenc Vangjeli:

Ka më shumë se një paradoks në atë që po ndodh në Partinë Demokratike. Nëse në vend të Berishës së sotëm, do të ishte Harxhi, Kadilli apo Shehaj, tre kandidatët e dikurshëm për kryetar të PD-së, ngjarjet e sotme do të ishin normale. Do të ishte ushtrim i zakontë demokracie nëse demokratët do të faleshin nëpër foltore menjëherë mbas zgjedhjeve të 25 prillit dhe madje, nuk do të ishte e pazakontë nëse ushtrohej me mjete demokracie edhe vetë Berisha, me kusht që hakmarrja dhe egocentrizmi i tij proverbial, të mos frymëzoheshin nga “karburanti” amerikan i non grata-s.

Faltoret e demokratëve do të ishin normale me këdo demokrat tjetër, që edhe pa bindur se do të mund të ishte fitues, do të kishte epërsinë e të mos qenit humbës; çdokush prej tyre do të kishte epërsi përballë lidershipit të sotëm demokrat sepse edhe pse nuk do të kishte në jetëshkrim beteja të drejta, do të ishte fitues sepse nuk do të kishte bërë gjëra të gabuara.

Historia nuk shkruhet me “nëse”, por politika gjykohet nga një sistem shkak-pasojë “nësesh”. Dhe ky gjykim nxjerr në dritë një seri paradoksesh, njëri më qesharak e grotesk se tjetri në atë që po ndodh në PD. Nëse PD do të fitonte zgjedhjet, Basha do të ishte vetë Faltorja ku do të faleshin të gjithë demokratët dhe një shumicë e padurueshme socialistësh “kolaboracionistë”, një pjesë e tyre nga grupi i anonimëve që ka thirrur nën armë Rama dhe pjesa tjetër, ai lloj i kameleonit politik që merr gjithmonë ngjyrën e pushtetit. Por meqënëse në Shqipërinë e absurdit politik, opozita dhe jo pushteti është projektori që nxjerr në pak problematikën dhe hijet e partive, opozita e këtij mandati, shoqëruar edhe me Non Gratën amerikane për Doktorin, ka krijuar gjithë pështjellimin, trazimin dhe krizën në PD. E cila, për paradoks, sheh se zgjidhja e problemeve të nesërme të saj, vjen me një ofertë nga e shkuara. Edhe pse është kaq e dukshme dhe e paralajmëruar nga një seri provash dhe rrethanash se rikthimi i Berishës si i munduri i dikurshëm, që kërkon të rrëzojë humbësin serial, nuk mund të jetë një ofertë fituese. Kjo është arsyeja që duke rishkruar historinë, duke riformuluar ngjarje dhe qëndrime, duke ripikturuar portretet e besnikëve me ngjyra tradhëtie dhe duke rithirrur qëndrestarët e dikurshëm në apel, Berisha po rishpik në të njëjtën formë dhe thelb Berishën; Berisha kërkon të jetë ai që nuk është dhe është ai që nuk duhet!

Nëse ky operacion mbetet deri në pikën që Doktori rikthehet, por nuk e përdor PD-në si mburojë antiamerikane, ky do të ishte një hap gjigant në ushtrimin e demokracisë partiake. Nëse rikthimi i Doktorit do të ishte hapja e garës që ai vetë e mohoi në 2013-ën, ky do të ishte jo vetëm një shërbim i jashtëzakonshëm për demokracinë në PD, por do të kishte refleks të fortë në të gjithë politikën shqiptare, sepse shpesh, punët e mira bëhen edhe me mjetet e gabuara. Të paktën moralisht. Dhe nëse Berisha, ashtu sikundër po shpresohet, afron mundësinë për një trupë kolegjiale për drejtimin e partisë deri në inicimin e një gare të re sipas statutit të partisë, atëherë, ai i jep vetes atë që po i heqin: lavdi në epilog të betejave të tij të pafundme politike, por dhe ndarje nga egoizmi i tij në raport me pushtetin e individit.

Për paradoks, falë Berishës sot PD-ja është organizmi më i gjallë politik në vend. Por nëse vetë ai kërkon me ngul të jetë kryetar i ri i partisë, kura që afron Doktori, do të vrasë vetë partinë. Aty do të ketë, për fatin e keq të të gjithëve, vetëm kurs përplasjeje. Drejt dhjetorit do të ecet me mjete të forta, me recetë dhune verbale dhe me gjasë, edhe më keq. Shumë më keq. Në ato rrethana hipotetike, mandati i katërt i socialistëve do të jetë pothuaj fakt dhe për paradoks, pushteti i tyre dhe vetë qeverisja, do të jenë më të dobët se kurrë. Sepse edhe qeverisja do të kërkojë të jetë ajo që nuk është dhe do të jetë ajo që nuk duhet! Falë alkimisë së pabesueshme që i afron Rilindjes një kundërshtar i rilindur si Doktori. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!