8-19 mijë vota për të thyer listën e kryetarit, llogaria në çdo qark për kandidatët që hyjnë në Kuvend

schedule13:56 - 23 Shtator, 2020

schedule 13:56 - 23 Shtator, 2020

Nga Esiona Konomi

Nëse formula e propozuar nga socialistët për hapjen e listave do të miratohet, atëherë pak kandidatë mund ta kenë shansin që të prishin renditjen e kryetarit të partisë dhe të shpallen fitues për të hyrë në Kuvend.

Sipas asaj që propozon mazhoranca, kryetari i partisë do t’i renditë kandidatët sipas preferencës së tij, dhe këtë radhë mund ta prishin vetëm ata kandidatë që marrin aq shumë vota, saqë të jenë mbi mesataren e vetë partisë.

Gazetarja e ABC News, Esiona Konomi, ka bërë llogaritë e çdo partie në cdo qark referuar rezultatit për parlamentin e vitit 2017.

Nëse kjo formulë, e quajtur formula me “herës” do të ishte aplikuar në vitin 2017, një kandidat për deputet i PS-së në Shkodër që nuk është në krye të listës, mund të hyjë në parlament nëse ka marrë më shumë se 9 811 vota. Po në këtë qark, një kandidat i Bashës mund ta thyejë listën nëse emrin e tij e kanë zgjedhur më shumë se 8 152 kandidatë, ndërsa nëse është i LSI-së, vullnetin e Kryemadhit mund ta thyejë vetëm me më shumë se 12 737 vota personale.

Në Kukës preferencën e Ramës dikush mund ta thyeje më 18 378 vota, ndërsa të Bashës me 9 967.

Në Lezhë, që një kandidat të renditet në listën fituese, duhet të marrë në PS 10 135 vota, në PD 9 183 vota dhe në LSI plot 11 210 vota.

Përllogaritja vazhdon sipas cdo qarku si në këtë tabelë, dhe nëse ndalemi në Tiranë, qarkun më të madh, prishja e renditjes së partisë është më e vështirë për kandidatët.

Në PS, PD dhe LSI, një kandidati që nuk është në pjesën fituese i duhet të grumbullojë më shumë se 11 mijë vota për emrin e tij gjatë votimit me listat e hapura.

Shifra më e lartë që do të duhej të thyente një kandidat me votë preferenciale nëse kjo formulë do të ishte aplikuar në 2017, është në qarkun Korcë. Një kandidati të LSI-së do t’i duheshin afërsith 19 500 vota për të hyrë në pjesën fituese.

Ndërsa referuar pragut kombëtar prej 3 %, të përcaktuar tashmë në ndryshimet zgjedhore, asnjë parti nuk mund të hynte në parlament në vitin 2017, nëse nuk do të kishte marrë 57 418 vota, edhe nëse në ndonjë qark të veçantë do të kishte marrë aq vota sa i duhen për të nxjerrë një apo disa deputetë.

PRAGU KOMBËTAR: 57 418

SHËNIM:  Llogaritja e herësit sipas formulës së re është bërë duke përdorur rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, për çdo parti që fitoi mandate. /abcnews.al/