11 vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, ndërsa 5 të tjera janë nën mbikëqyrje.
Vatrat më problematike vijojnë në Malin e Dajtit, në Bardhaj të Shkodrës dhe në Fier, ku strukturat vendore dhe Forcat e Armatosura janë të angazhuara në operacione për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Në Malin e Dajtit operojnë 77 forca ushtarake dhe një helikopter.
Në Bardhaj të Shkodrës vijon ndërhyrja me mjete zjarrfikëse, struktura të emergjencave civile dhe mbështetjen e FA-së, ndërsa në Fier operacioni mbështetet edhe nga një helikopter dhe një avion Air Tractor.
Në terren janë angazhuar 735 forca vendore dhe 64 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 475 efektivë, 7 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 1 avion Air Tractor.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes gjatë kësaj të diele, është parashikuar angazhimi i 160 forcave ushtarake në zonat ku ndërhyrja vijon.
Ndërkohë, zjarri në Himarë është shuar plotësisht dhe operacioni është përmbyllur, pas një mobilizimi të gjerë të strukturave vendore, Policisë, vullnetarëve dhe Forcave të Armatosura./abcnews.al

