Nga fëmijëria në Peshkopi te Festivalet e Këngës dhe Eurovisioni, Edmond Zhulali rrëfen katër dekada në muzikë dhe një arkiv të jashtëzakonshëm krijimtarie. Rreth 1000 këngë të krijuara gjatë karrierës, prej të cilave rreth 850 janë të regjistruara me të drejtë autori. Pas këtyre shifrave fshihet një jetë e tërë kushtuar muzikës dhe një prej krijimtarive më të pasura të kompozitorit Edmond Zhulali.
Por në këtë arkiv muzikor, një vend të veçantë zë Kosova. Rreth 100 këngë të Zhulalit i janë kushtuar Kosovës, luftës, qëndresës, dhimbjes dhe shpresës së shqiptarëve përtej kufirit. Dashuria për muzikën nisi shumë herët, në Peshkopi, ku u rrit si fëmija i fundit i një familjeje me shtatë fëmijë. Prindërit e tij, të ardhur nga Libohova dhe Gjirokastra, u vendosën pas luftës në qarkun e Dibrës, ku për vite me radhë punuan në luftën kundër analfabetizmit.
I prirur fillimisht drejt matematikës, Zhulali përfundoi duke zgjedhur muzikën. Në vitin 1982 nisi studimet në Akademinë e Arteve për trompetë, ndërsa vetëm dy vite më vonë, në moshën 24-vjeçare, mori drejtimin muzikor të Estradës së Peshkopisë. Vitet në Dibër do të bëheshin një nga shkollat më të rëndësishme të formimit të tij. Më pas erdhi Tirana, puna si pedagog, orkestrues, kompozitor dhe angazhimi në Radio Televizionin Shqiptar.
Por krijimtaria e tij do të merrte një dimension tjetër gjatë viteve të luftës në Kosovë. “Jam Kosova e Shqiptarisë”, kënduar nga Arif Vladi, u bë një prej këngëve që shoqëroi një periudhë të jashtëzakonshme historike. Pas saj erdhën “Marshi i UÇK-së”, “A vritet pafajësia?” me Leonora Jakupin dhe shumë krijime të tjera.
Në bashkëpunim me emra si Agim Doçi, Gjok Beci dhe artistë të shumtë shqiptarë, Zhulali krijoi një repertor që nuk mbeti vetëm në studio. Këngët e tij u kthyen në koncerte në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë. Në atë periudhë, ai kujton dhjetëra koncerte në Europë, në vende ku jetonin shqiptarë. Për Zhulalin, muzika ishte edhe një mënyrë për të ruajtur kujtesën dhe për të lidhur shqiptarët përmes këngës.
Në karrierën e tij nuk mungon as një tjetër moment historik: “Imazhi yt”, kënga me të cilën Anjeza Shahini përfaqësoi Shqipërinë në debutimin e saj në Eurovision dhe u rendit e shtata në finale.
Disa vite më pas, Zhulali u rikthye në Eurovision me Kejsi Tolën dhe këngën “Carry Me in Your Dreams”. Katër dekada më pas, arkivi i tij vazhdon të rritet. Rreth 1000 këngë, 850 prej tyre të regjistruara me të drejtë autori, dhe një kapitull i veçantë prej rreth 100 këngësh kushtuar Kosovës.

