Zyrtarët: Zgjedhjet e 2020-s në Amerikë do të jenë më të sigurtat në histori

schedule07:20 - 20 Korrik, 2020

schedule 07:20 - 20 Korrik, 2020

Amerikanët që do të shkojnë të votojnë apo do të hedhin votat me postë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të nëntorit, duhet të ndihen të sigurt se votat e tyre do të regjistrohen siç duhet, tha një prej zyrtarëve përgjegjës për sigurinë e zgjedhjeve.

Chris Krebs, drejtor i Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kibernetike dhe të Infrastrukturës, tha se “zgjedhjet e vitit 2020 do të jenë më të sigurtat në historinë moderne.”

Ai tha se përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2016s shërbyen si alarm dhe se agjensia e tij i ka forcuar më tej masat e marra për sigurinë e zgjedhjeve të mesmandatit në vitin 2018.

Këto masa përfshijnë përdorimin e sensorëve për të zbuluar ndërhyrje të mundshme në sistemet dhe rrjetet kompjuterike më të rëndësishme, si bazat e të dhënave për regjistrimin e votuesve, si dhe përdorimin në rritje të sistemit rezervë, ku të dhënat e votimit ruhen në letër.

Zyrtarët thanë se të paktën 92 përqind e shteteve amerikane kanë tani sisteme që sigurojnë ekzistencën e një procesverbali në letër për çdo votë, duke e bërë më të lehtë auditimin e rezultateve të zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, thonë ata, askush nuk do të jetë në gjendje të ndryshojë numrin e votave. Sipas tyre, një numër në rritje shtetesh amerikane pritet të mbështeten tek votimi me postë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Vlerësimi optimist i zyrtarëve për sigurinë e zgjedhjeve është në kontrast me shqetësimet e ngritura nga Presidenti i SHBA Donald Trump, i cili muajin e kaluar paralajmëroi në Twitter se votimi me postë do të çonte në ato që ai i quajti “zgjedhjet më të manipuluara” në historinë e vendit.

Edhe Prokurori i Përgjithshëm William Barr ka argumentuar se votimi me postë “absolutisht i hap dyert manipulimeve në masë”.

Megjithë të dhënat se Rusia u përpoq të depërtojë në sistemet e votimit të shteteve në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, zyrtarët amerikanë thanë se nuk pati asnjë provë që të tregonte se votat u ndryshuan.

Zyrtarët amerikanë të sigurisë arritën në të njëjtin përfundim pas zgjedhjeve të vitit 2018.

Zoti Krebs tha se, të paktën deri tani, nuk ka asnjë provë se Rusia ose dikush tjetër është përpjekur të depërtojë në sistemet kryesore të zgjedhjeve./VOA