Zyrtare: Mema e mbyll me Tiranën, shkak rezultatet

schedule12:32 - 25 Tetor, 2019

schedule 12:32 - 25 Tetor, 2019

Ardian Mema nuk doli dje në stërvitje te Tirana dhe ishte e kuptueshme që mes tij dhe klubit bardheblu kishte marrë fund çdo gjë. Humbja në Ballsh, por edhe mënyra se si u pësuan golat bënë që trajneri të mendohej mirë për vazhdimësinë.

Së fundmi Tirana ka dalë edhe me një qëndrim zyrtar, teksa thekson se për shkak të rezultateve jo të mira është mbyllur bashkëpunimi me Memën. “KF Tirana dhe Ardian Mema kanë gjetur marrëveshjen për të mbyllur bashkëpunimin. Pas ecurisë jo të mirë të skuadrës në ndeshjet e fundit, trajneri Mema nuk do të jetë më në krye të bardhebluve. KF Tirana e falënderon trajnerin Ard Mema për kontributin 1-vjeçar në krye të skuadrës”.

Mema zëvendësoi tetorin e shkuar brazilianin Ze Maria. Ftesës së presidentit Refik Halili ai iu përgjigj pozitivisht, duke u larguar nga Flamurtari ku ishte ndihmës i Ilir Dajës. Ai e lë Tiranën në kuotën e 14 pikëve, tre më pak se Partizani kryesues.

Prej kohësh Mema nuk e kishte mbështetjen e drejtuesve, që në mënyrë të sforcuar kishin vendosur të vijonin bashkëpunimin. Pas zgjidhjes së çështjes së kontratës, palët kanë shtrënguar duart. Tanimë Tirana duhet të gjejë një tjetër trajner dhe dy alternativat më të mundshme janë Julian Ahmataj dhe Bledar Devolli. /abcnews.al