Një zjarr me përmasa të jashtëzakonshme përfshiu një pallat në zonën e Farmacisë 10 në kryeqytet, duke sjellë dëme të konsiderueshme dhe mbi 6 persona të lënduar.
Drejtori i Policisë, Skënder Hita, tha se ende nuk është bërë bilanci përfundimtar i zjarrit, ndërsa disa punonjës të shërbimit zjarrfikës kanë pësuar djegie të lehta gjatë ndërhyrjes.
Ai theksoi se të gjitha forcat janë angazhuar në terren dhe po vijon kontrolli i plotë i banesave për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Sipas tij, është ende herët për të përcaktuar shkakun e zjarrit, ndërsa pritet të kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e ngjarjes.
“ Tani ende nuk kemi bërë bilancin përfundimtar. Janë paraqitur punonjës të shërbimit zjarrfikës, kanë djegie të vogla, janë angazhuar të gjitha forcat dhe kemi bërë menaxhimin dhe koordinimin me forcat e tjera.
Ende nuk janë kontrolluar të gjitha banesat. Është ende herët për të mësuar nga ka lindur zjarri, por do të kryhen të gjitha veprimet hetimore duke këqyrur pamjet e kamerave të sigurisë nëse kanë mbetur.” / abcnews.al /


