Zjarret në qarkun e Fierit, policia arreston disa autorë të dyshuar

schedule13:46 - 26 Tetor, 2018

schedule 13:46 - 26 Tetor, 2018

Edhe në Fier situata me zjarret ka qenë e rëndë. Policia ka arrestuar disa persona të cilët për të pastruar shkurret kanë shkaktuar dëme të mëdha tek vreshtat me ullishte.

Në përpjekje për të djegur shkurret zjarrvënësit në Lushnjë dhe në Fier po dëmtojne vreshtat me ullinj.

Vetëm 24 orët e fundit në Fier u shfaqën disa zjarre. E njëjta situatë si disa ditë më parë në Lushnje.

Për këto vatra policia e Fierit ka arrestuar disa zjarrvënës. Tre persona u arrestuan në fshatin Kreshpan, ku teksa pastronin parcelat e tyre me ullinj u kanë vënë zjarrin sipërfaqeve me shkurre dhe barishte.

Flakët kanë dalë jashtë kontrolli për shkak të erës së fortë, duke djegur 99 rrënjë ullinj.

Një tjetër person u arrestua në fshatin Darzezë, pasi pranë stallës së tij u ka vënë zjarrin kallamishteve të kanalit kullues.

Era e fortë ka bërë që zjarri të përhapet në një sipërfaqe pyjore me pisha.

Ndërsa në Dukas të Patosit janë arrestuar dy banorë, që në përpjekje për të hapur kullotë duke djegur shkurre, kanë djegur 60 rrënjë ullinj në pronësi të dy bashkëfshatarëve të tyre.

Zjarret në vjeshtë kanë shkaktuar dëme si asnjëherë tjetër, dhe pothuajse të gjitha ngjarjet kanë qenë të qëllimshme. /abcnews.al