Zjarr në një pallat në Fushë Krujë, fëmijët shpëtohen nga fqinjët

schedule10:46 - 14 Shtator, 2019

schedule 10:46 - 14 Shtator, 2019

Një zjarr që ra në katin e fundit të një pallati në Fushë-Krujë shkaktoi dëme të shumta materiale. Fëmijët që ndodheshin në banesë u shpëtuan pa lëndime nga fqinjët. Shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndije elektrike.

Pallati në fshatin Zallë të Fushë Krujës ka mbetur pa çati pas zjarrit që përfshiu në mëngjes herët katin e fundit. Tymi që doli nga dritaret e apartamentit alarmoi banorët të cilët vrapuan për të dalë jashtë.

Në banesën që ra zjarri ndodheshin edhe katër fëmijë. Prindërit e tyre ishin në punë. Nëna e të vegjëlve tregon se ata u shpëtuan nga fqinjët. Mjekët që ishin në vendngjarje tregojnë se nuk ka patur raste që kërkonin ndihmë të parë as te lënduar nga zjarri.

“Ambulanca ka shkuar bashkë me stafin dhe në vendngjarje nuk ka pasur nevojë për ndihmë të parë. Në ambulancën tonë nuk ka ardhur asnjeri me shenja të asfiksisë nga zjarri”.

Kurse banorët pretendojnë se zjarrfikësja erdhi me vonesë, ndryshe dëmet materiale nuk do të ishin kaq të mëdha.

“Po të kishin ardhur me kohë nuk kishte vajtur në këtë gradë”.

Shkak i zjarri dyshohet një shkëndije elektrike./ABC News Albania 24/7