Sot u zhvillua mbledhja e parë e Komisionit Hetimor “Tahiri”, i kërkuar nga opozita dhe i miratuar nga Parlamenti 2 javë më parë. Komisioni përbëhet nga 12 anëtarë, 6 deputetë të opozitës dhe 6 deputetë të PS. Ndërkaq, sekretare e komisionit hetimor u caktua deputetja Klotilda Ferhati.
Kreu i komisionit, Edi Paloka, kërkoi diskutimin e një rregulloreje të re për funskionimin e tij, pasi rregullorja e përgjithshme për komisionet hetimore, sipas Palokës, është shabllone.
Paloka kërkoi gjithashtu që anëtarët e komisionit të pajisen me certifikatën e sigurisë, pasi gjatë hetimeve nga ana e komisionit do të ketë dhe dosje sekrete.
Deputetet e opozitës dhe të mazhorancës debatuan edhe mbi ditën e mbajtjes së mbledhjes së radhës së komisionit, ku do të vendoset rregullorja e tij. Në fund me dakordësinë e gjithë anetareve, u vendos që komisioni hetimor të mblidhet sërish pas një jave, të hënën në 26 Mars.
Ky Komision Hetimor do kontrollojë ligjshmërinë e veprimeve administrative të Kuvendit e qeverisë, në kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, përfshirë çështjen, për të cilën akuzohet ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, me fokus ndërhyrjen e këtyre pushteteve në hetime dhe efektet që kanë ardhur prej saj./abcnews.al

