Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë/ Nis procesi i votimit, mbi dy milionë qytetarë me të drejtë vote

schedule07:34 - 7 Qershor, 2026

schedule 07:34 - 7 Qershor, 2026

Qytetarët e Kosovës i drejtohen këtë të diel, më 7 qershor, qendrave të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, në procesin e tretë zgjedhor parlamentar të organizuar brenda vetëm 16 muajsh.

Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe atyre të parakohshme të 28 dhjetorit 2025, vendi po zhvillon sërish zgjedhje parlamentare, të shkaktuara nga dështimi i forcave politike për të siguruar konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ky është procesi i 11-të zgjedhor në nivel nacional që nga përfundimi i luftës në Kosovë.



Të drejtën e votës në këto zgjedhje e gëzojnë 2.092.174 qytetarë, ose 15.884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, në territorin e Kosovës janë hapur 949 qendra votimi me gjithsej 2 550 vendvotime. Prej tyre, 911 qendra me 2 498 vendvotime janë të dedikuara për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra, nga një në secilën komunë, me 52 vendvotime, shërbejnë për votimin me kusht.

Edhe diaspora ka qenë pjesë e këtij procesi. Përveç votimit përmes postës, votimi fizik është organizuar në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, përkatësisht në 17 ambasada dhe 13 konsullata, ku janë vendosur gjithsej 47 vendvotime. Votimi i diasporës është zhvilluar një ditë më herët, më 6 qershor 2026.

Sipas të dhënave zyrtare, organizimi i këtyre zgjedhjeve do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës mbi 10.8 milionë euro.

Në orën 07:00, janë hapur qendrat e votimit në komunat e Kosovës dhe qytetarët po ushtrojnë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!