Xhafaj: E dimë kush janë grupet kriminale në Durrës dhe Krujë

schedule22:43 - 13 Shkurt, 2018

schedule 22:43 - 13 Shkurt, 2018

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka deklaruar se shumë shpejt do të zhvillohen operacionet për ndalimin e disa grupeve kriminale që operojnë në Durrës dhe Krujë. Ai ndodhej për një analizë të punës së Policisë së Durrësit në qytetin bregdetar.

Durrësin dhe Krujën i presin ditë jo të qeta.

Disa grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë do të neutralizohen.

Paralajmërimi erdhi nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, pas një inspektimi në pikën kufitare të portit të Durrësit.

Fatmir Xhafaj: “Në qytetin e Durrësit dhe në territorin e Krujës dhe të Fushë Krujës ka disa grupe kriminale, të cilat paraqesin rrezikshmëri shoqërore. Janë të skeduara dhe po punohet nga ana e policisë në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me institucionet e tjera ligjzbatuese për t’i vënë shumë shpejt përpara përgjegjësisë ligjore”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, tha se po bashkëpunohet ngushtë me homologët italianë dhe më gjerë për bllokimin e rasteve të trafikut të drogës.

Ardi Veliu: “Ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë me kolegët tanë italianë dhe rastet kur janë zbuluar dhe janë kapur gomonet dhe sasitë e lëndëve narkotike i kemi prezent dhe i keni pasqyruar nëpërmjet mediave tuaja”.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, kërkoi mirëkuptimin e biznesve për radhët e gjata që në port.

Ai sqaroi se tentativat e trafikut të lëndëve narkotike kanë sjellë edhe këto kontrolle të imtësishme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!