Pas afro tre muajsh zvarritje, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve shpërndau këtë të hënë mandatet për qarqet e Fierit, Elbasanit dhe Durrësit, duke vulosur kshtu rezultatin e 11 majit në të gjithë vendin.
KQZ shperndau mandatet edhe për kandidatës fitues. Celibashi njohu dorëheqjen e Maldrita Bardhos ndaj në shtator në kuvend do të ulet Zegjine Çaushi, pavarësisht përpjekjeve të demokratëve për ti dhënë pak oksigjen Gazmend Bardhit pas disfatës së thellë në Fier.
Ndërsa kërkesa e demokrates Andia Ulliri për tja marrë mandatin ish prokurorit Arjan Ndoja, me argumentin se I takon asaj përshkak të kuotës gjinore, u rrëzua. Kqz e llogarit të ndarë kuotën gjinore mes listës së hapur edhe të mbyllur, edhe pse në parlament nga partia demokratike do të shkojnë 5 gra dhe 1 burrë.
Me shperndarjen e mandateve në tre qarqet e fundit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i dha fund një procesi të gjatë ligjor kontestimesh, përfshirë edhe hapjen dhe rinumërimin e 1945 kutive të votimit me kërkesë të demokratëve, të cilët në vend të trenave bullgar dhe farsës elektorale vulosën disfatën e 11 majit. Për herë të parë demokratët shkojnë në parlament me 50 deputete, bashkë me aleatët ndërsa socialistët me 83 deputete, ku vetëm një votë i ndan nga shumica e cilësuar.
Por rezultati përfundimtar do të certifikohet nga Rregullatori, kur të përfundojë edhe beteja në të gjitha hallkat ligjore e mandatit të vetem të “Shqipëria Bëhet” dhe pretendimi i Andia Ullirit se mandati i ish prokurorit Arian Ndoja i takon asaj, përshkak të kuotës gjinore./ abcnews.al



