Shefja e diplomacisë europiane Kaja Kallas i kërkoi Serbisë dhe Kosovës të shikonin përpara, por presidenti Aleksandër Vuçiç nuk shkëputet dot nga e shkuara.
Në paraqitjen e tij të fundit si president i Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuçiç u mor sërish me Kosovën.
Ai e kundërshtoi pavarësinë e saj, ndërsa vijoj ta paraqiste si territor të Serbisë.
“Shumë prej jush kjo u tingëllon si një e kaluar e largët, por plagët që i janë shkaktuar të drejtës ndërkombëtare janë gjithnjë e më të thella dhe më të rënda. Të jemi plotësisht precizë, rendi i respektimit të Kartës së OKB-së dhe i së drejtës së bazuar në të nuk ekziston më. Atë e rrënuan ata që copëtuan territoret e vendeve të tjera për hir të interesave të tyre politike dhe ekonomike. Është e pamundur të mbyllet Kutia e Pandorës…”
Edhe pse nuk e njeh Kosovën si shtet ai e akuzoi qeverinë e saj se nuk e zbatoi marrëveshjen për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Vuciç akuzoi bashkësinë ndërkombëtare se nuk i mbajti premtimet edhe pse sipas tij ky shtet i ka përmbushur kërkesat që iu bën, përfshirë bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës.
“Na shpjegonin se duhej t’i dorëzonim njerëzit tanë Tribunalit të Hagës dhe pastaj do të rridhnin mjaltë e qumësht dhe do të lulëzonin lulet. Ne i dorëzuam, ndërsa nuk morëm asgjë.”
Pa e përmendur fare agresionin në Banjskë, që ndodhi pikërisht 3 vjet më parë, e as nderimet që iu bënë kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlldiç, Vuçiç u mor edhe me Kroacinë.
Me gjithë deklaratën e gjatë, mosbashkëpunimin e saj me BE për sanksione ndaj Rusisë dhe përplasjeve me të dërguarit europian, Vuçiç tha se Serbia ndodhet në rrugën evropiane.

