Vuajtjet e afrikanit, Camara: Flija në stadium dhe nuk kisha as për të ngrënë

schedule12:58 - 28 Maj, 2020

schedule 12:58 - 28 Maj, 2020

Oumar Camara ka vuajtur shumë kohët e fundit. Mesfushori nga Guinea, i cili ka luajtur me Besëlidhjen dhe Kukësin në Shqipëri, ka dhënë një rrëfim drithërues për Panorama Sport. Një kontratë e mban “peng” dhe mesfushori afrikan kërkon vetëm të marrë letrat e të rikthehet në shtëpi.

RRËFIMI – “Problemi lidhet me presidentin Gjok Noka të Besëlidhjes, me kontratën time, që për mua ka mbaruar. Fillimisht Gjoka më huazoi te Kukësi dhe u largova nga aty, pasi nuk pata shumë minuta. Në janar i kërkova presidentit të më huazonte te Luftëtari ose Flamurtari, në mënyrë që të luaja dhe të kisha më shumë minuta në dispozicion. Shkova dhe e takova presidentin në Lezhë, pasi ishte viti im i parë që luaja në Superiore dhe doja të vazhdoja në Gjirokastër ose Vlorë. Por, ai ma preu shkurt, duke më thënë se do të luaja vetëm në Lezhë”.

BISEDA – “I thashë: ‘Nuk mund të luaj më për ju. Kam tri vite që luaj me Besëlidhjen, por ju nuk keni ambicie dhe financa që ta ngjisni Besëlidhjen në Superiore‘. I thashë se tani jam në një nivel tjetër dhe dua ta provoj veten në Superiore, pasi kam luajtur në Kategorinë e Parë për 4-5 vite. Presidenti Noka më tha se është e pamundur dhe se nëse nuk luaja për Besëlidhjen, nuk mund të luaja askund tjetër”.

KËRKESA – “I kërkova dokumentacionin që të largohesha dhe të më linte futbollist të lirë, por presidenti më tha: ‘Nuk ka shanse që të largohesh nga Lezha‘. Problemi im lind nga kontrata që kam firmosur me presidentin Noka, para se të huazohesha te Kukësi”.

 

Camara me ekipin e Besëlidhjes

KONTRATA – “Para se të kaloja te Kukësi në huazim, rashë dakord me presidentin që të firmosja një kontratë 1-vjeçare dhe më dha një letër për ta firmosur. Unë kam firmosur kontratë për 1 vit. Më vonë marr vesh se kontrata ka qenë 5-vjeçare dhe që e ka depozituar edhe në federatë. Unë kam firmosur kontratë njëvjeçare, por presidenti më tha se kisha firmosur për 5 vite kur shkova në janar”.

SITUATA – “Situata ime është katastrofike, koronavirusi më gjeti në kushte shumë të vështira. Nuk kam pasur asgjë për të ngrënë, kam qenë duke vdekur nga uria, nuk kam pasur askënd që të më ndihmojë. Nuk kam pasur ushqim dhe akomodim. Kur isha në Lezhe, kam fjetur në ambientet e stadiumit. I kërkova presidentit të më gjente një apartament për të jetuar, por ai refuzoi. Kam sakrifikuar duke fjetur në dhomat e zhveshjes dhe korridoret e stadiumit të Lezhës.

E ARDHMJA – “Jam larguar nga Lezha dhe kam ardhur në Tiranë, ku jetoj me disa miq nga Afrika. Kanë pranuar të më ndihmojnë për disa ditë. Me lekë më ka ndihmuar një ish-futbollisti i Kukësit, Simon Rrumbullaku. Një tjetër, Andi, më ka ndihmuar me sanduiçe për t’u ushqyer. Jam në gjendje katastrofike, bëj apel që të më ndihmojnë të marr letrat nga Besëlidhja dhe të shkoj te familja ime. Nuk dua të luaj më në Shqipëri. Dua të dal lojtar i lirë, të shkoj në shtëpi dhe të vazhdoj të luaj atje. Thjesht dua që presidenti Noka të më japë letrat dhe të shkoj në shtëpi”. /abcnews.al