TIRANË – Autori i dyshuar i vrasjes së 28-vjeçarit Ardian Baloshi në Paskuqan, Sadik Llanai, vijon të jetë në kërkim nga policia, ndërsa për kapjen e tij janë angazhuar edhe forcat speciale RENEA.
Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, gjatë një deklarate për mediat, ku theksoi se po zhvillohet një operacion intensiv për lokalizimin dhe arrestimin e të kërkuarit.
Sipas Torbës, duke marrë parasysh rrezikshmërinë e Llanajt, policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor dhe operacional, ndërsa deri tani janë ushtruar kontrolle në më shumë se 20 banesa.
“Në lidhje me autorin e dyshuar të vrasjes, Sadik Llanaj, gjej rastin të falënderoj qytetarët sepse kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë. Për këtë arsye, është ngritur një grup duke marrë parasysh rrezikshmërinë e tij, janë ushtruar mbi 20 kontrolle banesash. Aktualisht vijon puna për kapjen e tij, për shkak edhe të rëndësisë së operacionit vijojnë të angazhohen forcat RENEA dhe besojmë që shumë shpejt do të kapet ky person. Kemi pasur informacione shumë të vlefshme nga qytetarët”, deklaroi Torba.
Kreu i Policisë së Tiranës vlerësoi bashkëpunimin e qytetarëve, duke theksuar se informacionet e siguruara prej tyre kanë ndihmuar hetuesit dhe grupet operacionale në ndjekjen e autorit të dyshuar.
Ndërkohë, policia bën me dije se kontrollet dhe verifikimet në terren po vijojnë, ndërsa strukturat e angazhuara mbeten në gatishmëri deri në arrestimin e Sadik Llanit, i cili konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë./abcnews.al/



