Policia e Tiranës ka bërë një apel publik për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim nga qytetarët për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së Ardian Baloshit, ngjarje e ndodhur në Paskuqan.
Sipas Policisë, autori i dyshuar, Sadik Llani, konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe dyshohet se është i armatosur. Për këtë arsye, qytetarëve të Kamzës dhe zonave përreth u kërkohet të tregojnë vigjilencë dhe të shmangin çdo përpjekje për ta ndaluar ose përballur vetë.
Për kapjen e tij janë angazhuar Forca Kombëtare e Sigurisë “RENEA”, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit, si dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të cilat po zhvillojnë kontrolle intensive në terren.
Policia fton çdo qytetar që mund të ketë informacion mbi vendndodhjen e të dyshuarit të kontaktojë menjëherë autoritetet në numrin 069 41 05 735 ose në numrin pa pagesë 112.
Në mbështetje të operacionit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë eurosh për informacionin e saktë që do të çojë në lokalizimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.
Autoritetet garantojnë ruajtjen e plotë të konfidencialitetit për çdo informacion të dhënë nga qytetarët si dhe ka vënë në dispozicion një shpërblim monetare prej 10 mijë eurosh për kapjen e tij.
Apeli i Policisë:
Apel për kujdes dhe bashkëpunim për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 27-vjeçarit në Kamëz.
Nisur nga rrezikshmëria e lartë e autorit të dyshuar për vrasjen e Ardian Baloshit, 27 vjeç, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon ndaj qytetarëve të Kamzës dhe zonave përreth që të tregojnë kujdes të shtuar, pasi autori i dyshuar, shtetasi Sadik Llani, dyshohet se është i armatosur dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Për lokalizimin dhe kapjen e tij janë angazhuar Forca Kombëtare e Sigurisë “RENEA”, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të cilat po vijojnë kontrollet intensive në terren.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që, nëse konstatojnë këtë shtetas ose disponojnë informacion mbi vendndodhjen e tij, të mos ndërhyjnë në asnjë mënyrë, por të njoftojnë menjëherë Policinë në numrin 069 41 05 735 ose në numrin pa pagesë 112.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vë në dispozicion një shpërblim prej 10 000 eurosh për informacionin e saktë që do të çojë në lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Policia e Tiranës garanton ruajtjen e plotë të konfidencialitetit për çdo informacion të dhënë nga qytetarët.


