TIRANË – Policia e Tiranës ka finalizuar fazën e katërt të operacionit të koduar “Zonat”, të zhvilluar kundër shitjes së lëndëve narkotike në kryeqytet, duke arrestuar katër persona dhe sekuestruar mbi 400 gramë kokainë.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për aktivitetin e shitjes së drogës në zona të ndryshme të Tiranës.
Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit Ilir Doda, Elger Spahiu dhe Florian Gjyzeli të cilët u kapën në flagrancë në Rrugën e Kavajës me sasi të konsiderueshme kokaine që dyshohet se e posedonin për ta shitur.
Sipas hetimeve paraprake, tre të arrestuarit vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke siguruar lëndë narkotike në sasi të mëdha dhe më pas e shpërndanin në doza në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht në “Ish-Park” dhe “Brryl”.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi 350 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe dy peshore elektronike që dyshohet se përdoreshin për ndarjen e saj në doza.
Po ashtu, në pranga ra edhe Erjon Dani 32 vjeç, i dyshuar për shpërndarje kokaine në disa zona të Tiranës. Në ambientet e subjektit ku ai punonte u gjet dhe u sekuestrua një sasi kokaine e ndarë në mbi 220 doza të gatshme për shitje, si dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga aktiviteti kriminal.
Në total, gjatë operacionit u sekuestruan mbi 400 gramë kokainë, një pjesë e së cilës e ndarë në qindra doza, dy peshore elektronike, katër telefona celularë dhe shuma parash.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme ligjore.



