Vranësira dhe shira të dobët, parashikimi i motit për sot

schedule07:20 - 15 Shkurt, 2025

schedule 07:20 - 15 Shkurt, 2025

Territori shqiptar mbetet nën mbizotërimin e vranësirave dhe shirave të dobët në Ultësirën Perëndimore, por reshje të pakta dhe të izoluara dëborë do të ketë në zonat malore përgjatë shtrirjes Lindore. Pjesa e dytë e ditës do të sjellë ndërprerje të reshjeve në pjesën më të madhe të vendit duke lënë me reshje dëbore vetëm skajin verior dhe verilindor, megjithatë edhe në këto zona reshjet priten në sasi të pakta dhe të papërfillshme.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të lehtë në mëngjes, por vijojnë konstante në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 0°C vlera minimale në Bulqizë deri në 16°C vlera maksimale në Durrës dhe Sarandë. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare duke arritur shpejtësinë 35 km/h nga drejtimi Verilindor, për pasojë në brigjet detare do të krijohet dallgëzim mbi 2 ballë.

Kosova

Edhe Republika e Kosovës do të paraqitet me vranësira të shpeshta gjatë orëve të para të mëngjesit, por pas mesditës dhe në vijim, vranësirat do të bëhen më të dukshme në të gjithe territorin e Kosovës duke gjeneruar reshje të pakta dëbore ku më të theksuara do të jenë në zonat veriore dhe veriperëndimore. Parashikohet që orët e vona të mbrëmjes të sjellin përmirësim të kushteve atmosferike në të gjithë Kosovën. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të lehtë në mëngjes, por vijojnë konstante në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga -1°C vlera më e ulët në Mitrovicë deri në 9°C vlera më e lartë në Prizren e Gjakovë. Era do të fryjë e lehtë paradite por deri mesatare gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale 40 km/h nga drejtimi kryesisht Verilindor.

Maqedonia e Veriut

Republika e MV përgjatë gjithë 24 orëshit do të jetë nën ndikimin e motit të kthjellët dhe të ftohtë, por orët e pasdites do të sjellin herë pas here vranësira të shpeshta por nuk priten reshje. Parashikohet që në mbrëmje dhe gjatë natës vranësirat të largohen nga i gjithë territori i MV. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të lehtë në mëngjes por vijojnë konstante në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga -1°C vlera minimale në qytetin e Ohrit deri në 11°C vlera maksimale e cila do të shënohet sërish në Shkup. Ndërkohë era do të paraqitet e lehtë deri mesatare duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 38 km/h nga drejtimi kryesisht Verilindor.

Evropa

Zhvillimi i një qendre të fuqishme ciklonare përkatësisht në veri-verilindje të kontinentit europian me ndikim deri në qendër do të diktojë kushte të paqëndrueshme atmosferike në Europën Veriore, rajonin e Balltikut si edhe Europën Lindore duke sjellë reshje të dendura dëbore. Po ashtu me vranësira rrebeshe shiu si edhe stuhi të forta ere do të ketë në Brigjet e Egjeut dhe brigjet e detit të zi ndërsa pjesa tjetër e kontinentit të Europës do të paraqitet nën ndikimin e masave ajrore me origjinë kontinentale duke kushtëzuar mot të kthjellët por temperatura të ulëta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!