Rama të vetëve: Të mbyllim procesin/ Mesazhi i kreut të PS: Mos prishim fitoren

schedule22:54 - 19 Maj, 2025

schedule 22:54 - 19 Maj, 2025

TIRANË- “Jemi një skuadër dhe unë kështu dua që të mbetemi”. Ky është mesazhi që Edi Rama u ka dërguar deputetëve, pasi disa prej tyre, i kërkuan KQZ që t’u vinte në dispozicion pamjet filmike të qendrave të votimit.

Kryesocialisti këshillon të tijët të mos ndjekin rrugën e ankimimeve, pasi nuk do të dëmtojnë e vetëm kandidatin humbës, por edhe procesin.

“S’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge. Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë nga pasuesit në klasifikim”, shkroi ai.

Sipas Ramës, gara ka qenë transparente dhe nuk ka asnjë mundësi për devijim të votave.

“Kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh”, shkruan Rama.

Në Tiranë pati një garë të forte mes grave socialiste, Blerina Gjylameti dhe Olta Xhaçka. Kjo e fundit arriti të siguronte një ulëse në parlamentin e ri, me një diference prej 100 votash nga kolegia e saj.

Po ashtu, edhe Xhemal Qefalia Humbi garën përballë Ornaldo Rakipit/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!