Vlahutin: “Pronat”, urgjente që të ndalohet legalizimi i objekteve të paligjshme

schedule12:39 - 22 Qershor, 2018

schedule 12:39 - 22 Qershor, 2018

Ambasadorja e BE-së në vendin tonë, Romana Vlahutin, deklaroi sot se është urgjente të ndalohet legalizimi i objekteve të paligjshme si dhe kërkoi vendosje penalitetesh të rënda për përfituesit e paligjshëm të pronave. Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, paralajmëroi ngritjen e një agjencie unike për trajtimin e çështjes së pronës.

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin, cilëson si urgjente nevojën e ndalimit të legalizimit të objekteve të paligjshme në vend. Në një tryezë diskutimi të organizuar nga delegacioni i BE-së në Tiranë, Vlahutin theksoi nevojën e dialogut  mes palëve dhe penalitete të rënda për përfituesit e paligjshme

“Praktika europiane ka treguar se 100% kompensim për pronarët e shpronësuar nga ish regjimet nuk është i mundur dhe ka nevojë për kompromis. Një tranzicion kaq i gjatë dhe i vështirë nuk mund të përfundojë pa një dialog, ku të përfshihen të gjithë aktorët dhe mbi të gjitha pronarët. Po kështu është urgjente që praktikat abuzive të së shkuarës të ndalen dhe ndërtimet e paligjshëm të legalizuar në kurriz të pronarëve të mos legalizohen”.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, përmendi nismat ligjore të ndërmarra për t’i dhënë zgjidhje problemit të pronave.

“Kuadri i ri ligjor synon ndërtimin e një agjensie unike që mundëson integrimin e të gjitha proceseve që kanë të bëjnë me pronën dhe trajtimin e titujve të pronësisë. Kjo agjenci do integrojë disa institucione brenda saj. Për periudhën tranzitore janë marrë një sërë masash si puna për evidemtimine pasurive të paluajtshme shtetërore në bregdet dhe ato të investimeve strategjike”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shoqatave të pronarëve, të pranishëm në takim, kërkuan nga delegacioni i BE në vend të ushtrojë presion ndaj institucioneve shqiptare për zgjidhjen e çështjeve të pronësisë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!