Vitia: Dy vdekjet e sotme nuk kanë lidhje me helmimin në Deçan

schedule14:13 - 13 Korrik, 2021

schedule 14:13 - 13 Korrik, 2021

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë Arben Vitia ka bërë të ditur se dy vdekjet e regjistruara në orët e fundit nuk kanë lidhje me helmimet në Deçan.

Vitia ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë dhe ka shtuar se bashkë me kryetarin e komunës, Bashkim Ramosaj dhe drejtorin e Drejtorisë për Shëndetësi kanë hartuar një listë barnash që do të trajtohet me prioritet.

“Raportet e para që i kemi marrë të dielën kanë qenë shqetësuese. Pa asnjë rast fatal deri më tani, dy rastet e vdekjes që i referoheni s’kanë të bëjnë me rastet që po flasim.”

Për mediat ka folur edhe Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani. Ai është shprehur se asnjë pistë e hetimeve nuk të lë të kuptosh që helmimi ka ndodhur nga uji.

“Megjithatë kjo s’do të thotë që s’mund të ketë infeksione hidrike, por do të dalim me analiza permanente, nga analizat e pacientëve. Pistat e hetimit që flasin për dyshime të infeksionit hidrik janë në hetim e sipër. Kualiteti i ujit po monitorohet”, deklaroi Ramadani.

Ditën e sotme, për të menaxhuar situatën e krijuar, në komunën e Deçanit u shpall gjendja e emergjencës. s.b/abcnews.al/