Drejtori i Policisë, Skënder Hita, ka deklaruar se masat e sigurisë pranë shkollave do të zbatohen konkretisht në terren, me kontrolle të shtuara dhe angazhim të strukturave të ndryshme të Policisë.
Hita tha se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe sigurisë rrugore, ndërsa gjatë pushimit të gjatë do të ketë forca të shtuara pranë shkollave.
Një tjetër fokus, sipas drejtorit të Policisë, është siguria ushqimore.
Hita vuri në dukje gjithashtu rolin e mësuesve, psikologëve, oficerëve të policisë dhe bordeve të prindërve në forcimin e sigurisë dhe parandalimin e problematikave në shkolla.
Në kuadër të projektit Smart City, Hita bëri me dije se në 20 shkollat e para janë vendosur kamera inteligjente. Sipas tij, teknologjia mundëson reagim më të shpejtë të Policisë dhe një prani më të afërt me qytetarët.
“ Kam kërkuar që masat të zbatohen në terren, përgjegjësia është konkrete. Kam udhëzuar specialistët kundër narkotikëve që të organizojnë kontrolle brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë për ndalimin e përdorimit nga nxënësit. Vëmendje të veçantë edhe për sigurinë rrugore, ku gjatë pushimit të gjatë do të ketë forca të shtuara. Strukturat e krimit kibernetik, dhunës dhe policisë do të jenë të pranishme në shkolla për bullizmin, me qëllim reduktimin e përdorimit të lëndëve narkotike.
Po bashkëpunohet me AKU-në për sigurinë ushqimore me bizneset pranë shkollave, do të ketë kontrolle periodike për skadencën e produkteve dhe kushtet higjeno-sanitare. Rol të rëndësishëm luajnë mësuesit, psikologët dhe oficerët e policisë. Po forcojmë bashkëpunimin, partnerë të rëndësishëm janë bordi i prindërve.
Parandalimi më i rëndësishëm se reagimi. Në kuadër të Smart City, në 20 shkollat e para janë vendosur kamera inteligjente. Teknologjia na mundëson të jemi të shpejtë në reagim dhe më pranë qytetarëve.”

