VIDEO/ Triumf me përmbysje i Milanit, Leicester eliminon United nga FA Cup

schedule19:55 - 21 Mars, 2021

schedule 19:55 - 21 Mars, 2021

Milani mposht 2-3 Fiorentinën jashtë fushe, ndërsa Leicester City triumfon kundër Manchester United dhe siguron kualifikimin në gjysmëfinalet e FA Cup. Kuqezinjtë e Piolit reaguan pas dy humbjeve shtëpiake përballë Napolit dhe United. Milani siguroi tre pikë fantastike në “Artemio Franchi” të Firences, aty ku u zhvillua një ndeshje shumë e bukur.

Zlatan Ibrahimovic zhbllokoi takimin në minutën e nëntë. Sulmuesi suedez mori një asist nga Simon Kjaer dhe gjeti golin e 15-të sezonal në Serie A. Vendasit reaguan tetë minuta më vonë, duke barazuar falë një eurogoli të Erick Pulgar.

Kaq për pjesën e parë, teksa Fiorentina e nisi shumë mirë fraksionin e dytë të takimit. Franck Ribery finalizoi një aksion të bukur të ekipit të Prandellit në minutën e 51-të. Milani nuk u dorëzua dhe ia doli të përmbysë rezultatin.

Brahim Diaz dhe Hakan Calhanoglu shënuan dy gola brenda 16 minutave, duke i dhuruar ekipit të tyre një fitore tepër të rëndësishme. Milani konfirmohet në vend të dytë me 59 pikë, 6 më pak se Interi kryesues, që ka luajtur një ndeshje më pak.

Leicester City fitoi 3-1 në shtëpi kundër Manchester United. Kelechi Iheanacho (2x) dhe Youri Tielemans i dhuruan gjysmëfinalet e FA Cup “Dhelprave”, teksa Mason Greenëood barazoi përkohësisht rezultatin për ekipin e Solskjaer. /abcnews.al