VIDEO/ Ruçi ikën fshehurazi, naftëtarët debatojnë me Finon: Jemi pa bukë, mos na ktheni kurrizin!

schedule11:31 - 7 Shkurt, 2020

schedule 11:31 - 7 Shkurt, 2020

Naftëtarët kanë qenë në protestë sot përpara Bashkisë së Fierit, teksa në godinë ndodhej kreu i Parlamentit, Gramoz Ruçi i cili është deputet i parë i Fierit. Z. Ruçi nuk ka pranuar të takojë naftëratët që protestojnë prej disa ditësh për pagat e prapambetura. Ai ka dalë nga dera e pasme e bashkisë, ndërsa deputeti socialist Bashkim Fino ka patur një takim të shkurtër me naftëtarët të cilët të tensionuar kanë kërkuar zgjidhje nga mazhoranca qeverisëse për Rafinerinë.

Gazetarja e Abcnews.al, Valbona Davidhi raporton nga Fieri se protestuesit kishin ndërmjetësuar një takim me z. Ruçi, i cili edhe herë të tjera u ka premtuar naftëtarëve zgjidhje të problemeve të tyre. Por ditën e sotme Ruçi është larguar, duke mos pranuar të ballafaqohet me ta. Kjo ka acaruar dhe indinjuar protestuesit.

Të tensionuar naftëtarët i kërkojnë Bashkim Finos t’u mundësojë një takim me z. Gramoz Ruçi: “Ju lutem se jemi pa bukë, po na vdesim fëmijët, të paktën na mundësoni një takim”. “Jemi popull, na jepni një sqarim! Të paktën na respektoni, mos na ktheni kurrizin!”, shprehen ata.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!