TIRANË- Policia e Tiranës ka arrestuar 4 persona pas protestës së dhunshme të opozitës, ndërsa deputetin e Partisë Demokratike Klevis Balliu e ka referuar në Prokurorinë e Posaçme.
Ndryshe sa ka ndodhur në protestat e shkuara, kur deputetë të PD janë referuar në prokurorinë e Tiranës, kësaj here Policia i referoi materialet në SPAK për Klevis Balliun.
Balliu dyshohet se ka shkelur ligjin “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë” si dhe për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Arrestimet e 4 të rinjve u bënë pas protestës së mbajtur mbrëmjen e së shtunës, ku u regjistruan disa episode dhune të hedhjes së molotovëve, mjeteve piroteknike si dhe mjete të forta në drejtim të institucioneve shtetërore dhe efektivëve blu.
Në pranga ranë Leonardo Marku, Robespier Dervishaj, Doris Rista dhe Sergei Rapo, të cilët u evidentuan si hedhës të molotovëve dhe akuzohen për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Te godina e Vilës 31, për shkak të hedhjes së molotovëve dhe mjeteve piroteknike, Policia thotë se janë shkaktuar dëmtime ndërkohë brenda saj ndodheshin artistë të huaj dhe pjestarë të personelit të cilët u rrezikuan, si dhe janë dëmtuar 32 kosha mbeturinash të vendosura nga Bashkia Tiranë.
Gjithashtu janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale. Edhe gjatë kësaj proteste nuk mungoi përdorimi I të miturve ku një prej tyre u proceduar në gjendje të lirë pasi iu gjet me vete municion i dyshuar për armë sportive.
/abcnews.al


