VIDEO/ “Rrugorja” në Tiranë sensibilizon shoferët “pilotë”, i ndalon dhe i vë përballë disa pamjeve

schedule11:54 - 17 Shtator, 2023

schedule 11:54 - 17 Shtator, 2023

 

Policia Rrugore e Tiranës, herë pas herë ndërmerr fushata sensibilizuese për shoferët dhe jo vetëm.

Së fundmi “Rrugorja” ka përdorur një mënyrë të çuditshme për të sensibilizuar shoferët që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke shkelur edhe normat e shpejtësisë.

Mbrëmjen e kaluar efektivët kanë ndaluar mjetet që kryenin shkelje dhe i kanë treguar një mesazh sensibilizues.

“E dini arsyen e ndalimit? Sot do të kemi një qasje tjetër, sot nuk do të ndëshkojmë, por do të marrim 15 sekonda nga koha juaj, do të vini me mua, do të shihni pamjet filmike dhe pastaj do të vazhdoni”, u shpreh punonjësi i policisë.

Përballë tyre vunë imazhe nga aksidente të frikshme që kanë ndodhur në Tiranë përgjatë këtij viti.

“Këto janë ngjarje reale të ndodhura në Tiranë këtë vit. Kjo nuk ka lidhje drejtpërdrejt me juve, por duke qenë se jeni përdorues automjeti e dini se çfarë ndodh kur përfshihesh në një aksident”, shprehet punonjësi i policisë.

Ndërkohë mesazhi sensibilizues i Policisë Rrugore mbyllet me shprehjen: Ndaloje shpejtësinë, para se ajo të të ndalojë ty./abcnews.al