VIDEO/ Paketa anti-KÇK nuk i prek gjyqtarët dhe prokurorët, deputeti i PS rrëfen prapaskenën

schedule15:41 - 4 Shkurt, 2020

schedule 15:41 - 4 Shkurt, 2020

Kryeministri e nisi betejën ndaj gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar në tetor, kur shpalli nismën kundër KÇK-së, por akti normativ i miratuar nga qeveria nuk i prek në asnjë nen prokurorët e gjyqtarët e korruptuar.

“Prokuror si ai i Durrësit apo gjyqtar si ajo e Durrësit po bëjnë kërdinë”. Kështu shprehej Edi Rama më 3 tetor kur sulmoi prokurorin e Durrësit Arjan Ndoi si një prej prokurorëve e gjyqtarëve që sipas tij po bënin kërdinë teksa prisnin radhën për të kaluar vettingun, ndërsa në 9 tetor kërkoi nga Kuvendi ndihmë për të luftuar atë grupim që e quajti KÇK.

“Këtë grupin KCK, parlamenti duhet ta shpallë grup në kërkim”, shprehej ai më 9 tetor.

Por kur qeveria miratoi aktin normativ që e pagëzoi si anti-KCK, asnjë nen i tij nuk prekte prokurorët e gjyqtarët abuzues. Megjithëkëtë, Rama shkoi më tej, duke u shprehur në publik se paketa ANTI KCK do të pezullonte këta magjistratë abuzivë.

“Kur ne shteti do kontastojmë vendime si ato që kemi parë, paketa kërkon 3 ditë pezullim brenda tre ditësh dhe nisjen e hetimeve për tre ditë”,deklaronte Kryeministri.

Por akti normativ i qeverisë nuk ka asnjë paragraf që e mundëson këtë veprim!

Gjithsesi socialistët nuk kanë ndenjur duarkryq. Adnor Shameti ka propozuar një ndryshim në ligjin e statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sipas të cilit “i jepet e drejta Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë kur ka motive apo indicie të propozojë procedim disiplinor pranë Këshillit Gjyqësor dhe KLP-së. Është në çmimin e KLP dhe KLGJ për të marrë vendimin”.

Miratimi i këtij ndryshimi ligjor kërkon 84 vota, dhe ky mekanizëm do të funksionojë vetëm kur Artur Metani të ketë një institucion funksional, të cilin nuk e ka ende. E sidoqoftë, qeveria, nuk ka rrugë të ligjshme as për të ndikuar tek Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, e as tek KLGJ apo KLP. /abcnews.al