VIDEO/ Miami Heat “kafshatë” e lehtë për Lakers, Davis-James magjikë

schedule08:18 - 1 Tetor, 2020

schedule 08:18 - 1 Tetor, 2020

Los Angeles Lakers ka fituar finalen e parë kundër Miami Heat me rezultatin 116-98 dhe ka treguar se llogaritë për ekipin kampion në NBA mund të mbyllen shumë shpejt. Sigurisht Lakers janë favoritë absolutë dhe Miami bëri disi rezistencë në periodën e parë, që u mbyll 31-28.

Në të dytën skuadra nga Kalifornia vendosi diktatin duke shënuar 14 pikë më shumë (34-20) dhe deri pas periodës se trete diferenca shkoi në 27 pikë. Praktikisht ndeshje e mbyllur dhe Miami nuk mund të bënte dot mrekullinë.

Ata që spikatën në fushë ishin të zakonshmit, Anthony Davis dhe LeBron James. I pari vijon të shënojë më shumë se të gjithë dhe këtë herë regjistroi 34 pikë, veç 5 asisteve dhe 9 topave të kapur në tabelë.

“Mbreti”, për një asist (realizoi 9) mund të kishte regjistruar një tjetër “triple double”, pasi shënoi 25 pikë dhe kapi 13 topa në tabelë. Jimmy Butler, i vetëm për Miami me 23 pikë, e kishte të pamundur të udhëhiqte skuadrën e tij të surprizonte Lakers. / abcnews.al