VIDEO/ “Mbaj një biznes për të mbijetuar, jo për të fituar”, Basha publikon ankesën e biznesmenit

schedule09:52 - 20 Tetor, 2020

schedule 09:52 - 20 Tetor, 2020

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka postuar video-mesazhin e një biznesmeni i cili ka në pronësi një bar-restorant dhe shpreh pakënaqësinë e tij për pagesën e TVSH dhe taksën e tatim fitimit.

Sipas biznesmenit, ai e drejton këtë biznes prej 12 vitesh, por se ka hasur përherë në problematika që nuk kanë gjetur zgjidhje.

Sakaq me postimin e kësaj videoje kreu i PD, Lulzim Basha u kujton shqiptarëve edhe njëherë planin e rimëkëmbjes ekonomike me 5 pika propozuar nga PD.

“Taksat e rritura kanë çuar biznesin në krizë. Bizneset në grahmat e fundit të mbijetesës kanë larguar mijëra punonjës. Zgjidhja për të shmangur humnerën, plani i PD. Koha nuk pret!” thotë Basha.

Postimi:

“Jam Rolandi edhe drejtoj këtë biznes prej 12 vitesh. E di shumë mirë, njoh edhe zonën dhe vështirësitë e punës, çfarë do të thotë të zgjohesh në mëngjes deri në darkë, të privohesh nga fëmijët nga çdo gjë.

Biznesi bën një xhiro rreth 33 milionë, shteti më kaloi me TVSH dhe paguaj rreth 1 milionë e 200 mijë lekë që me gjithë sigurimet më shkojnë rreth 6 milionë e gjysmë. Pret edhe taksën 5% tatim fitimi, këtë taks e paguan dhe ai që ndërton në bregdet dhe ai që ndërton pallate, kjo nuk më duket e drejtë.

Përpos kësaj vijnë dhe taksat e bashkisë, që nuk po e kuptojmë fare 75 mijë lekë taksë arsimi dhe taksë uji s’e marr vesh fare, herë pas here që na kanë rrënuar pa mase. Unë e di shumë mirë çfarë do të thotë të dalësh me 120 mijë lekë minus dhe të mbash një biznes për me mbijetu, se harroje fitimin”, shprehet biznesmeni ne postimin e ndarë nga Basha.