Një grup kriminal i dyshuar për shitjen e armëve të zjarrit, lëndëve plasëse dhe municionit luftarak në zona të ndryshme të Tiranës është goditur nga policia në kuadër të operacionit të koduar “Rrjeti”.
Operacioni u finalizua nga Komisariati i Policisë Nr. 4, pas një hetimi të kryer me metoda proaktive dhe në drejtimin e Prokuroria e Tiranës.
Si rezultat i aksionit, u arrestuan shtetasit Marsel Varka, Elsaed Maqinaj, Fabian Zako dhe Kristaq Biba. U shpallën në kërkim Kevin Vila dhe Bledar Avdillari.

Janë arrestuar më parë Donati Jaku, Florian Gjeta, Urim Meta, Ligor Mehmet dhe Klodian Mustafa.
Sipas hetimeve, gjashtë personat e identifikuar në operacionin “Rrjeti”, së bashku me pesë shtetas të arrestuar më parë, vepronin si grup i organizuar kriminal, duke siguruar dhe shitur armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion luftarak në kryeqytet.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi 7 armë zjarri, konkretisht 4 pistoleta dhe 3 automatikë, si dhe municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Autoritetet bëjnë me dije se gjatë gjithë periudhës hetimore dhe aksioneve të zhvilluara kundër këtij grupi kriminal janë arrestuar gjithsej 9 persona, ndërsa janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpë lëndë plasëse, një sasi e konsiderueshme municioni, 4 automjete dhe 13 telefona celularë.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së grupit, ndërsa policia po punon edhe për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim.



