Shkolla “Naim Babameto” në zonën e ish-Kënetës në Durrës është një nga ndërtesat që ka pësuar dëme mjaft të mëdha nga tërmeti që goditi vendin. Gazetari Andi Qosja raporton për abcnews.al se tashmë është shembur palestra e shkollës.
Nga pamjet shihet se dëmet në shkollë janë të konsiderueshme. Ekspertët e kanë vlerësuar si të pabanueshme pas dëmtimit që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit.
Shkolla ndodhet në zonën e ish – kënetës, e ndërtuar vetëm 8 vite më parë dhe ndërkohë rikonstruksioni ishte bërë gjatë viteve të fundit. Edhe pse është një ndërtim i ri shkolla është e shkatërruar nga tërmeti. Muret, trarët, kolonat janë të gjitha të dëmtuara. Gjendja brenda shkollës paraqitet tejet alarmante, e shkatërruar plotësisht.
Specialistët e IKMT-së kanë pohuar se si strukturë mund të qëndrojë, por është e pamundur të rikthehet në gjendjen fillestare./abcnews.al