Derbi emocionues mes Everton dhe Liverpool, duel në të cilin u shënuan 4 gola dhe nuk pati fitues. 2-2 përfundoi takimi i luajtur në “Goodison Park” dhe djemtë e Carlo Ancelottit ia dolën të ruanin pathyeshmërinë edhe ndaj kampionëve në fuqi.
Nisje fantastike për ekipin e Jurgen Klopp, që kaloi në avantazh në minutën e tretë. Sadio Mane shfrytëzoi një asist të Robertson dhe dërgoi topin në rrjetë. Barazimi erdhi shpejt me anë të Michael Keane.
Mbrojtësi i Everton kërceu me kokë pas një goditje këndi të James Rodriguez në minutën e 19-të dhe mposhti spanjollin Adrian. Pjesa e parë u mbyll në barazim, teksa i njëjti rezultat u regjistrua edhe në fraksionin e dytë.
Momo Salah riktheu “The Reds” në avantazh në minutën e 72-të falë një goditje të rrufeshme, por Dominic Calvert-Lewin nuk e kishte thënë akoma fjalën e fundit. Bomberi i ekipit vendas barazoi shifrat nëntë minuta përpara fundit.
Kros i Digne nga e majta dhe goleadori anglez u konfirmua “mbret” i ajrit, fitoi duelin me mbrojtjen mike dhe dërgoi topin në rrjetë, duke gjetur golin e shtatë në 5 javë kampionat. Emocionet nuk kishin mbaruar.
A pulsating Merseyside derby finishes all square #EVELIV pic.twitter.com/zFPJ6Eqbo3
— Premier League (@premierleague) October 17, 2020
Richarlison kreu një faull të rëndë në minutën e fundit dhe u largua nga loja me karton të kuqe. Kapiteni Jordan Henderson gjeti golin në shtesa, por Mane ishte në pozicion të parregullt dhe VAR-i anuloi gjithçka.
Përfundimisht 2-2 me Everton që vijon të kryesojë Premier League me 13 pikë, teksa Liverpool renditet i dyti dhe ndjek “armiqtë” e përjetshëm me tre pikë më pak. /abcnews.al


