VIDEO/ Derbi i çmendur: Tottenham nuk u beson syve, mrekulli e West Ham

schedule19:29 - 18 Tetor, 2020

schedule 19:29 - 18 Tetor, 2020

“Derbi është derbi”, këtë e kemi dëgjuar edhe në Shqipëri, ndërkohë që një përballe mes dy skuadrave të qytetit u zhvillua sot edhe në Premier League. Tottenham-west Ham United ishte një nga ndeshjet më interesante të ditës dhe u mbyll me rezultatin 3-3. Rezultat i pabesueshëm, kur gjithçka ishte 3-0 pas 16 minutash lojë.

Një nisje fantastike e “Spurs”-ave, që ia dolën të shënojnë që në minutën e parë me anë të Son Heung-Min. Lëvizjet e bukura në zonë i konkretizoi me një goditje të saktë. Topi në rrjetë dhe më pas Harry Kane mori skenën.

Sulmuesi shënoi një gol mjaft të bukur dhe “Çekiçët” mbetën të shushatur. Tottenham i shfrytëzoi ato minuta dhe realizoi edhe golin e tretë, sërish me Kane. Këtë herë sulmuesi realizoi më kokë, pas një krosimi perfekt të Reguilon.

GOLAT DHE RASTET E TOTTENHAM-WEST HAM UNITED

3-0, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë dhe Mourinho në fraksionin e dytë të lojës mendoi edhe t’i jepte minuta edhe Gareth Bale. U duk se gjithçka po përfundonte qetësisht, por west Ham United befasoi duke shënuar dy gola për tre minuta.

Balbuena ishte ai që shënoi golin e parë, kurse tre minuta më pas Sanchez i Tottenham devijoi një top në portën e tij. 3-2, kur ishin edhe pesë minuta nga koha e rregullt. Moral i lartë te west Ham United, që barazoi në minutën e fundit shtesë me një perlë të Lanzini. Argjentinasi i befasoi të gjithë me një silurë nga jashtë zone dhe vendosi fatet e derbit. /abcnews.al

NDESHJET E TJERA – Edhe dy sfida të tjera në Premier League kanë përfunduar barazim sot. Sheffield United-Fulham u mbyll 1-1. Ishin miqtë që kaluan të parët në avantazh falë golit të Ademola Lookman, por duhet theksuar se ata humbën dhe një penallti nga Aleksandar Mitrovic. Më pas në minutën e 85-të të takimit erdhi dhe goli i barazimit, i shënuar nga Billy Sharp.

Gjithashtu edhe Crystal Palace barazoi 1-1 me Brighton Albion. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 19-të të takimit nga një penallti e shndërruar në gol nga Wilfried Zaha. Miqtë arritën të merrnin një pikë falë golit të Alexis Mac Allister në minutat e fundit të takimit. /abcnews.al