VIDEO/ Atletico makineri i frikshme, shtyp Valencian dhe marshon drejt titullit

schedule22:55 - 24 Janar, 2021

schedule 22:55 - 24 Janar, 2021

Tjetër fitore e Atletico Madrid, e shtata radhazi në kampionat, dhe tre pikë më tepër për titullin kampion. Djemtë e Diego Simeones mposhtën 3-1 në shtëpi Valencian, duke konfirmuar formën fantastike që po kalojnë në La Liga.

 

Skuadra mike e nisi shumë mirë takimin dhe kaloi në avantazh në minutën e 11-të falë një goli të mrekullueshëm të Uros Racic. Atletico reagoi dhe riktheu baraspeshën 12 minuta më vonë me anë të Joao Felix.

Portugezi përfitoi nga një goditje këndi dhe dërgoi topin në rrjetë. 45 minutat e para u mbyllën në barazim, teksa vendasit gjetën edhe dy herë të tjera rrugën e rrjetës në fraksionin e dytë të përballjes.

 

Luis Suarez realizoi falë një diagonaleje të saktë në minutën e 54-t (goli i 12-të në kampionat për uruguaianin), teksa Angel Correa vulosi suksesin e Atletico Madrid në minutën e 72-të (asist i Llorentes).

 

Përfundimisht 3-1 për “Los Colchoneros”, të cilët kryesojnë kampionatin spanjoll me 47 pikë, 7 më tepër se Reali ndjekës dhe mbi të gjitha me një ndeshje më shumë për të luajtur. /abcnews.al