Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

VIDEO/ Atentati ndaj Viktor Bardhit, rreth 30 plumba janë qëlluar ndaj tij. Pista kryesore e hetimit, hakmarrja. Gjendet makina e djegur

schedule09:19 - 3 Shtator, 2026

schedule 09:19 - 3 Shtator, 2026

Viktor Bardhi, 65 vjeç, është vrarë mëngjesin e sotëm në Ndërfushas të Mirditës. Bardhi, punonjës i Ujësjellësit të Mirditës, është qëlluar me rreth 30 plumba dhe ka humbur jetën në vendngjarje.

Atentati ndodhi rreth orës 08:30. Bardhi kishte shkuar me automjetin e tij për të hapur ujin për disa fshatra. Kur sapo kishte përfunduar punë dhe ishte nisur me autoveturën e tij, është qëlluar me armë zjarri. Vrasja ndodhi shumë pranë Rrugës së Kombit.

Rreth 20 minuta më pas, policia është njoftuar për një automjet që po digjej në fshatin Munaz. Policia po verifikon nëse makina ka lidhje me autorët e vrasjes, pasi në të nuk u gjetën armë zjarri.

Një banor i zonës thotë se e kishte parë dhe përshëndetur Bardhin pak para vrasjes. Sipas tij, 65-vjeçari po shkonte për të hapur ujin dhe se nuk ruhej.

Në vendin ku ndodhi vrasja janë gjetur edhe mbetje që dyshohet se i përkasin një silenciatori të prodhuar në mënyrë artizanale. Dyshohet se autorët kanë pasur dijeni për lëvizjet e 65-vjeçarit dhe e kanë pritur në zonë. Duke iu referuar dinamikës së ngjarjes dhe vendit ku u gjetën gëzhojat dhe mbetjet e silenciatorit, autorët dyshohet se kanë ardhur nga Rruga e Kombit, që është ngjitur me vendin ku u vra 65-vjeçari Bardhi, dhe të jenë larguar pikërisht prej aty.

Pista kryesore e hetimit është ajo e hakmarrjes. Saga e hakmarrjeve që ka nisur ndërmjet dy fiseve në Mirditë prej afro 3 dekadash, duke shënuar 16 viktima.

Vetëm 3 vitet e fundit, nga familja Bardhi alias Marku, Viktor Bardhi është viktima e tretë e ekzekutuar, pasi në 2023 u vra në qendër të Rrëshenit Martin Bardhi, ndërsa në 2025 u vra në autostradën Levan-Fier nipi i tyre, Kristian Marku.

Disa persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje, por deri tani nuk ka persona të dyshuar apo të arrestuar për vrasjen.

Hetimet vijojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!