VIDEO/ Ansu Fati e Messi marrin për dore Barcelonën, topi te Reali

schedule23:56 - 16 Qershor, 2020

schedule 23:56 - 16 Qershor, 2020

Barcelona ia kalon topin Realit, pasi ka mposhtur me shifrat 2-0 skuadrën e Leganes dhe e ka çuar diferencën me madrilenët në pesë pikë. Skuadra e Zinedine Zidane përballët me Valencian dhe do tentojë të mos e humbë kontaktin me kreun, për të shpresuar deri në fund në fitimin e titullit kampion.

Katalanasit, në takimin e sotëm iu falën talentit Ansu Fati dhe Lionel Messit. I riu zhbllokoi ndeshjen në fundin e pjesës së parë, me një goditje mjaft të bukur në hyrje të zonës. Goli i tij e ccoi Barcelonën në epërsi në dhomat e zhveshjes.

Duhej edhe goli i dytë dhe Antoine Griezmann e dërgoi topin në rrjetë, por arbitri e anuloi atë pas ndërhyrjes së VAR. Lionel Messi vendosi të dilte në skenë dhe mbrojtësit kundërshtar nuk mund ta ndalnin dot në mënyrë të rregullt.

Pengimi në zonë u akordua penallti dhe vetë argjentinasi nuk mund të gabonte nga pika e bardhë. 2-0 dhe Barcelona ishte e qetë. Në vazhdim nuk pati më gola dhe Barcelona mori tre pikë shumë të vlefshme dhe po marshon drejt titullit kampion.

NDESHJET E TJERA – Getafe nuk e ka shfrytëzuar ndalesën e Real Sociedad, teksa ka barazuar në shtëpi me skuadrën e Espanyol. Edhe pse luanin kundër vendit të fundit, që prej minutës së 16-të luajti me një lojtar më pak, vendasit nuk ia dolën të shënonin golin që do u jepte tre pikët dhe vendin e katërt.

Sonte luajti edhe Villareal, që triumfoi me rezultatin 1-0 kundër Mallorca. Një gol i Carlos Bacca mjaftoi për “nëndetësen”, që me këto tre pikë renditet në vendin e shtatë dhe synon ta mbajë këtë vend që të çon në Europa League. /abcnews.al