Në Venezuelë ka dështuar grushtit i shtetit, pas përplasjeve të djeshme të mbështetësve të opozitës dhe regjimit të presidentit Nicolas Maduro. Vetë Maduro iu drejtua kombit me një fjalim në orët e natës, ndërsa lideri i opozitës Huan Guiado, përmes një mesazhi u kërkoi venezuelianëve të mos ndalen në aksionin e tyre për rrëzimin e diktaturës.
Pas një dite të gjatë përplasjesh të forcave opozitare dhe shumicës së popullsisë së Venezuelës me forcat qeveritare, nuk u arrit rrëzimi i pushtetit të Nicolas Maduro. Me gjithë revoltën popullore, të mbështetur nga opozita dhe një pjesë e ushtrisë së regjimit të Maduros, grushti i shtetit dështoi.
Kryeqyteti Karakas dje ishte arenë përplasjesh dhe kaosi. Aty pati përleshje mes mbështetësve të liderit të opozitës Guaido dhe trupave ushtarake, besnikë të Maduros, që nxorrën në rrugë autoblindat. Dy prej tyre depërtuan mes turmës së protestuesve, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Manifestuesit kanë sulmuar me gurë forcat ushtarake, por ato janë përgjigjur duke përdorur gaz lotsjellës.
Lideri i opozitës dhe presidenti i vetëshpallur në Venezuelë, Huan Guaido, i ka ftuar venezuelianët të zbresin serish në shesh për atë që ai e quan faza përfundimtare e operacionit të lirisë. Në një video të gjatë rreth 3 minuta e të shpërndarë në internet, Guaido shprehet se të gjithë e kanë ditur që në fillim se nuk do të ishte e thjeshtë ndërmarrja e këtij aksioni, por tashmë ka edhe ushtarë të gatshëm të mbrojnë Kushtetutën.
Guaido shprehet më tej se Maduro ka dashur të arratiset në Kubë dhe kishte bërë gati çdo gjë për t’ia mbathur. Por forcat ndërkombëtare e detyruan të qëndrojë në vend.
Por pas një dite tensionesh e përplasjesh deri në kufijtë e grushtit te shtetit, Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, lëshoi një mesazh gjatë natës së shkuar. Ai përgëzoi Forcat e Armatosura për mençurinë, besnikërinë, guximin me të cilin kanë udhëhequr humbjen siç e quan ai, të një grupi të vogël që pretendoi ta dhunojë vendin.
“Ishte gjithashtu një ditë konflikti në të cilën u vunë përballe dy Venezuela; një e paqes dhe dialogut dhe një tjetër e dhunës dhe e shitjes tek të huajt”, tha Maduro.
Ai falenderoi të gjithë popullin e Venezuelës për guximin dhe ndërgjegjen përballë kësaj përpjekjeje për një grusht shteti.
Dje gjatë ditës në disa reagime zyrtare nga Uashingtoni është shprehur mbështetja amerikane për lëvizjen e Huan Guaido dhe opozitës në Venezuele.
“Qeveria e SHBA mbështet plotësisht popullin e Venezuelës në përpjekjet e tyre për liri dhe demokraci. Demokracia nuk mund të mposhtet “, tha sekretari i Shtetit Mike Pompeo./ABC News Albania 24/7