Ekspertët e Institutit të Ndërtimit kanë dalë në përfundimin që pallati në Elbasan, ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm, duhet të shembet.
Nga ekspertët, pallati është shpallur i rrezikshëm dhe i pabanueshëm.
Drejtoresha e Institutit të Ndërtimit, Persida Shkrepa deklaroi se dëmtimet që ka pësuar pallati, kanë qenë të forta nga goditja e gazit, por edhe nga zjarri.
“Ky është një objekt i ndërtuar në vitet ’70. Është objekt me një strukturë të një solete sap dhe tullë silikat. Dëmtimet që ka pësuar kanë qenë të forta nga goditja e gazit, por edhe nga dëmtimi i zjarrit. Objekti është i pabanueshëm, duhet të merren masa sa më shpejt për ta demoluar. Tek seksioni i dytë është i pabanueshëm nga asnjë banor. Tek seksioni i parë banorët duhet të shoqërohen nga forca zjarrfikëse”, theksoi ajo./abcnews.al


