Analisti Florent Zeqaj ka komentuar proceset gjyqësore që lidhen me ish-pjesëtarët e UÇK-së, duke theksuar se Kosova, edhe 26 vjet pas luftës, vazhdon të përballet me atë që ai e cilëson si padrejtësi në fushën e drejtësisë.
Zeqaj ka thënë se kompromisi për lirinë është i dhimbshëm për secilin prej aktorëve, ndërsa sakrifica për liri, sipas tij, është ajo që i ka përcaktuar këto procese.
Sipas tij, ajo që mbetet më e rëndësishme është fakti se sot shqiptarët jetojnë të lirë dhe flasin shqip, ndërsa kjo liri është ndërtuar mbi sakrificën e brezave.
“ Shteti i Kosovës 26 vjet përballet me padrejtësitë e drejtësisë, kompromisi për liri është i dhimbshëm për secilin prej aktorëve, është sakrifica për liri që determinon këto procese. Ky verdikt, por edhe të mëhershmet, ka pasur tendencë të ketë politikë.
Çfarë është e rëndësishme është se ne sot frymojmë shqip dhe mbi gjakun, mundin e çdo brezi. Besoj se çdo proces më ka dhimbur, sepse më ka prekur ajo që më ka sjellë lirinë. Ne kemi shumë dëshmorë dhe kanë dhënë jetën, thellë në ndjenjën e vet e kanë dashur lirinë, por s’e kanë përjetuar.”

