Veliaj nga Gjeneva: Rindërtimi i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti brenda vitit

schedule12:27 - 4 Tetor, 2019

schedule 12:27 - 4 Tetor, 2019

Nga Gjeneva ku mori pjesë në komitetin e OKB kryebashkiaku Erion Veliaj premtoi se rindërtimi i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti në Tiranë, do të përfundojë brenda vitit. Gjate takimit, Veliaj mori vlerësime për punën e bërë për zhvillimin urban.

Brenda vitit do të përfundojë rindërtimi i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti në Tiranë. Kështu është shprehur kryebashkiaku Erion Veliaj në Gjenevë pas vlerësimit që mori kryeqyteti nga komiteti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi zhvillimin urban.

Riparimet e dëmëve të tërmetit të 21 shtatorit nuk po kryehen vetëm me taksat e shqiptarëve.Kontribuesit kryebashkiaku Erion Veliaj i zbulon në Gjeneva ku mori pjesë në sesionin e 80 të Komitetit të OKB-së mbi Zhvillimin Urban, Strehimin dhe Menaxhimin e Territorit.

“Qytetet e kalitura janë ato qytete që ngrihen menjëherë në këmbë. Sot Tirana është ngritur në këmbë dhe jo vetëm që falenderova vendet anëtare që na ndihmuan në ditët e para me tërmetin, siç ishte Katari, Kuvajti, Italia, Greqia, Turqia gjithashtu, por ishte edhe një mënyrë për të treguar se një qytet si Tirana ngrihet shpejt në këmbë.”

Por qytetari i parë i Tiranës nuk neglizhon të falenderojë edhe kryeministrin.

 “Fakti që sot pothuajse të gjitha shtëpitë e rrënuara janë adoptuar nga një kompani që ka filluar rindërtimin, falë edhe ndihmës së kryeministrit për të lehtësuar të gjitha procedurat, besoj se Viti i Ri do të na gjejë me shtëpi të reja, totalisht të rimëkëmbur nga tërmeti”.

Nisur nga situata pas tërmetit, Veliaj shtoi se është e domosdoshme të merren të gjitha masat për të qenë të përgatitur për çdo lloj emergjence që mund të sjellë natyra. Mesazhet kryebashkiaku i dha pas vlerësimit që Tirana mori nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si një nga qytetet që ka bërë më shumë në politikat e zhvillimit të qëndrueshëm, përmes mbjelljes së pemëve, shtimit të hapësirave të këmbësorët dhe vëmendjen ndaj fëmijëve. Ambicia e Erion Velisë për këtë sezon të ri është mbjellja e 150 mijë pemëve. /ABC News Albania 24/7