Vajtimi rrëqethës i nënës gjatë varrimit të Vera Myrtajt: Shpirti im…mami nuk po qan, do që ti të jesh e lumtur

schedule11:23 - 1 Dhjetor, 2022

schedule 11:23 - 1 Dhjetor, 2022

ITALI – Detaje rrëqethëse janë publikuar nga mediat italiane lidhur me varrimin e bërë ditën e djeshme të Vera Myrtajt e cila vra nga ish-bashkëshorti i saj.

“Zemra ime, bija ime, mami nuk po qan, do që t’i të jesh e lumtur ” këto janë fjalët e lamtumirës së nënës së Vera Myrtajt, e cila vajtonte me britma vajzën e saj të ndjerë.

“Mami nuk qan, është e lumtur sepse ti do të qëndrosh e lumtur, shpirti im”, vijoi të vajtonte në shqip gjatë gjithë kohën nëna, ndërkohë që vajza e saj 37-vjeçare varrosej.

Mediat italiane mes të tjerash shkruajnë se në varrimin e Vera Myrtaj morën pjesë mbi 300 persona, të afërm, fqinjë dhe zyrtarë të qytezës ku jetonte.

Vera u fut në dhe, nga vëllezërit e saj dhe meshkujt e tjerë të familjes. Gratë, që kishin rrethuar të bijat e 37-vjeçares, morën dhe nga toka dhe e hodhën mbi arkivolin e saj, ndërsa nëna e 37-vjeçares vajtonte.

Në varrimin e shqiptares kishte edhe shumë të rinj. Ishin shokët e shoqet e klasës së të bijave, ashtu sikurse mësueset e tyre.

Ishte pikërisht vajza e madhe 15-vjeçare, e cila gjeti trupin e pajetë të së ëmës pasi u rikthye në shtëpi rreth orës 22:00. Vera u vra të dielën e 20 Nëntorit, për shkak të xhelozisë së sëmurë të ish-bashkëshortit, po shqiptar, 41-vjeçari Viron Karrabolaj, i cili nuk arriti kurrë që të pranonte idenë se nëna e vajzave të tij kishte rinisur një jetë të re me dikë tjetër, pasi arriti që pas shumë vitesh të largohej nga bashkëshorti i saj i dhunshëm.

Bashkë me Verën i vrarë mbeti edhe partneri me të cilin jetonte prej më shumë se 1 viti, 23-vjeçari Flonino Mërkuri, i cili u godit disa herë me thikë në garazhin e shtëpisë ku jetonte çifti, në Spinea të Venecias.

Më pas 41-vjeçari i dha fund jetës në kapanonin e Chirignago ku punonte. Corriere Della Sera përcjell edhe dëshmitë e mikeshave të 37-vjeçares.

“E dimë mirë çfarë ka hequr Vera. Askush nuk e merr me mendja sa vuajtje, sa dhunë i është dashur të durojë, duke u përpjekur që të gjente zgjidhjen më të mirë për vajzat. Ato ishin e gjithë jeta e saj, jetonte vetëm për to”, rrëfejnë ato.

/abcnews.al/