Uruguaji kërkon “siguri” në pankinë, “të kaltërit” shënjestrojnë teknikun e famshëm

schedule16:42 - 30 Mars, 2023

schedule 16:42 - 30 Mars, 2023

Edicioni i fundit i Kupës së Botës, i cili u zhvillua në Katar përveç spektaklit dhe emocioneve të forta solli dhe shumë shkarkime trajnerësh, të cilët dështuan të përmbushnin objektivin e vënë nga federatat e tyre, me Kombëtare si Portugalia, Brazili, Gana, Belgjika e Uruguaji menduan të bënin ndryshe në pankinën e tyre.

Disa prej Kombëtareve e kanë “marrë veten” dhe me afrimet e teknikëve të rinj kanë filluar punën drejt kompeticioneve të ardhshme, mirëpo Federata Uruguajiane e Futbollit ende nuk ka vendosur në krye të pankinës një teknik të ri, me Marcelo Brolin, i cili ka marrë në dorë “frerët” e Kombëtares, pas largimit të Diego Alonsos në përfundim të Botërorit të Katarit, pasi dështoi në kalimin e fazë së grupeve.

Tashmë, Uruguaji është në kërkim të një tekniku vizionar e me eksperiencë e mesa duket e e ka gjetur një të tillë, teksa raportime të shumta në media flasin për një afrim të ish-teknikut të Leeds United, Marcelo Bielsa, i cili në të shkuarën e tij ka bërë mjaft mirë në futbollin e Kombëtareve, teksa ka shkëlqyer me përfaqësuese të tjera latine, si Argjentina e Kili.

Ndërkaq, kujtojmë se Bielsa ose i njohur ndryshe si “El Loco” ose përkthyer në shqip “i çmenduri”, prej 27 shkurtit të vitit të kaluar është i papunë, pas shkarkimit nga pankina e Leeds United, ekip të cilin e ngjiti pas shumë vitesh mungesë në “elitën” e futbollit anglez. /i.m /abcnews.al