Nuk po kanë më vlerë renditjet e FIFA-s.
Po ashtu, po vlen gjithnjë e më pak historia, qoftë edhe për ndeshjet e fazës së grupeve.
Uruguaj, dy herë kampion I botës e 15 herë kampion I Amerikës Latine, ekipi numër 15 në botë, u ndal në barazim nga Arabia Saudite, që ndodhet vetëm në vendin e 61-të në këtë klasifikim.
Jo vetëm kaq, por amerikanojugorët thuajse humbën e u deshën zëvendësimet e trajnerit Marselo Bielsa për të shmangur të papriturën e madhe, që do të kishte qenë gjithsesi pak më e vogël sesa humbja që sauditët I shkaktuan Argjentinës në Botërorin e kaluar në Katar.
Al Amri shënoi për arabët në 41’, pra pranë fundit të pjesës së parë.
Arauho barazoi për Uruguajin në 80’, ndërsa Bielsa hodhi në fushë pesë lojtarë të tjerë pas pushimit.
Në terren ishin disa yje të dy herë kampionëve të botës si Valverde, Nunjez, Arauho apo Muslera, dhe epërsia ishte e tyre.
Amerikanolatinët bënë 27 gjuajtje ndaj 10 të kundërshtarit dhe 7 në kuadrat përkundër vetëm 3.
Stadiumi në Majemi këtë herë ishte 97 për qind I mbushur, me rreth 63 000 në tribuna, por edhe me rreth 1700 vende bosh.
Edhe pse mund të ketë kritika për çmimet e biletave, sërish stadiumi “Hard Rok” ishte mjaft mirë I mbushur.



