U afrua me bujë, Shkëndija divorcohet me mesfushorin

schedule13:20 - 8 Nëntor, 2019

schedule 13:20 - 8 Nëntor, 2019

Shkëndija e mori në verë si një nga afrimet më të bujshme, por mesfushori brazilian. Juan Felipe, ka rezultuar një lëvizje e gabuar te kuqezinjtë e Tetovës. Pasi ishte paraqitur mirë te Vardari, 31-vjeçari nuk e gjeti veten te skuadra shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Ai luajti në 10 ndeshje, tetë si titullar dhe shënoi një gol, ndërkohë që sot ka ardhur zyrtarisht edhe ndërprerja e kontratës. Klubi i Shkëndijës ka dalë edhe me një njoftim zyrtar, teksa e cilëson këtë lëvizje si më të mirën për lojtarin dhe vetë klubin.

“Klubi i Futbollit Shkëndija komunikon ndërprerjen e bashkëpunimit me futbollistin brazilian, Juan Felipe. Kryesia e klubit dhe futbollisti, në takim të përbashkët kanë ardhur në përfundim se në këtë moment ndarja është në interes të të dyja palëve, kështu që është gjetur akordi për shkëputjen e parakohshme të kontratës.

KF Shkëndija falënderon Juan Felipen për kontributin e dhënë në fanellën kuqezi gjatë periudhës që ishte pjesë e jona, duke i dëshiruar suksese në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Shkëndijës së Tetovës, në sajtin zyrtar. /abcnews.al