Turqia dhe Rusia firmosin edhe për 6 ditë të tjera armëpushim

schedule20:47 - 22 October, 2019

schedule20:47 - 22 October, 2019

Turqia dhe Rusia kanë firmosur një armëpushim të ri 6-ditor në veri të Sirisë për të përfunduar evakuimin e milicive kurde Ypg. Vendimi u bë i ditur nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, në përfundim të takimit të tij me homologun rus, Vladimir Putin.

Ndërkohë, luftëtarët kurdë kanë njoftuar Shtetet e Bashkuara se janë tërhequr plotësisht nga “zona e sigurisë” në Veri të Sirisë. Komandanti i Forcave Demokratike Siriane, Mazloum Abdi, i shkroi një letër zëvendëspresidentit amerikan Mike Pence, në të cilën e informonte për tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake. Ndërkaq, sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo e cilësoi këtë tërheqje si progres, por tha se është ende herët për të qenë të sigurt.

Shtyrja e armëpushimit erdhi pas takimit që presidenti turk Rexhep Taip Erdogan zhvilloi në Soçi të Rusisë me homologun Vladimir Putin. Turqia dërgoi trupa në Sirinë verilindore disa ditë më parë në një ofensivë për të luftuar forcat rebele kurde, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të tërhequr trupat nga rajoni./ABC News Albania