“Tu bëftë dita 1000”: Abc News tregoi historinë e të moshuarës nga Vlora, qytetarët sensibilizohen për ta ndihmuar

schedule07:42 - 31 Mars, 2020

schedule 07:42 - 31 Mars, 2020

“Kam dy ditë që pi ujë me sheqer”. Kështu është shprehur, ndër të tjera, mes lotësh një e moshuar nga Vlora, historia e të cilës tashmë dihet nga të gjithë shqiptarët pasi videoja e shpërndarë nga Abc News është bërë virale.

Nënë Myzejene Jaupi foli për kamerën e Abc News se është 84-vjeçe dhe jeton fare e vetme në shtëpi. Gjendja e të moshuarës duket aq e rëndë sa ajo shprehet se “do ikte e pa ngopur në gropë.”

Ajo tregon se e ka thyer karantinën për pak bukë, dhe shpreson që të sëmuret me virusin korona, pasi nuk mund ta shtyjë situatën në të cilën ndodhet.

“Jam 84 vjeçe jam pa njeri fare në shtëpi. Po pi ujë me sheqer. Dhe do dal le të më marrë, dhe të më fusë në burg policia, se unë po rri pa ngrënë. I dërgova sekretares së Dritan Lelit dhe nuk e vuri ujin në zjarr, dy ditë pa bukë, ujë me sheqer piva mbrëmë. Nuk më zinte gjumi. Sikur një dorë makarona të kisha të bëja supë. Unë nuk mund të kërkoj në lagje tani”, thotë e moshuara.

Pas publikimit të historisë së saj në Abc News, një numër i madh mesazhesh kanë ardhur në numrin e redaksisë 067 400 9040 nga qytetarë  të ndryshëm që janë ofruar që ta ndihmojnë Myzejenen.

Videoja e shpërndarë në faqen në Facebook të Abc News Albania ka marrë një numër rekord shikimesh e shpërndarjesh, dhe kjo ka ndihmuar në “përhapjen e fjalës”.

Mes personave që janë ofruar të ndihmojnë, është edhe pronari i një furre buke në Vlorë, i cili ka sjellë ndihma për të moshuarën.

Veç disa ushqimeve e bukëve, ai kishte sjellë për Myzejenen edhe një thes me mjell. Ai thotë se dëgjoi për historinë e nënës nga Abc News dhe nuk ngurroi të ndihmonte.

“Sa pashë nënën tek Abc-ja, direkt më erdhi që të ndihmoja”, thotë ai.

Mirënjohëse e moshuara e falenderon qytetarin që e ndihmoi dhe gazetarët të cilët ajo thotë se ju bënë djem e kaluar djemve. /abcnews.al/