“Trump vazhdon të mbetet i prapë dhe i lezeçëm”, Mustafa Nano: Gallata e koronavirusit në rrjetet sociale

schedule21:53 - 31 Mars, 2020

schedule 21:53 - 31 Mars, 2020

Në monologun e tij këtë mbrëmje në “Provokacija”, Mustafa Nano është ndalur tek situata e krijuar nga koronavirusi në vend.

“Kam 20 ditë që rri në shtëpi dhe sot dola dhe rifillojmë me “Provokacija”.

Gjatë këtyre 20 ditëve më është kërkuar, ashtu siç i është kërkuar të gjithë shqiptarëve të bëhemi trima në këtë luftë. Në këtë luftë mund të jemi trima vetëm në një mënyrë, duke qëndruar në shtëpi dhe duke bërë një jetë sa më pak sociale.

Unë e kam bërë dhe do të përpiqem ta bëj. Është një përvojë e re, një përvojë e jashtëzakonshme, dramatike, por njëkohësisht edhe e  gëzueshme.

E gëzueshme, përveç faktit që kemi pasur mundësi të qëndrojmë me njerëzit tanë në shtëpi, kam parasysh edhe faktin që kemi pasur mundësinë të argëtohemi me video, komente të bërë në rrjete sociale. Shpeshherë këto ja kemi përcjellë njëri-tjetrit, që humorin tonë ta ndajmë edhe me miqtë tanë. Këto kohë ka pasur reagime kombesh, por edhe politikanësh dhe kanë qenë reagime interesante.

Donald Trump kohët e fundit sa herë që del në konferenca për shtyp, del bashkë me Task-Forcën e tij. Gjithmonë i referohet koronavirusit si “virusi kinez”. Duke sikur del në konferenca për shtyp vetëm për të thënë këtë gjë: “virusi kinez”. Trump vazhdon të mbetet i prapë dhe i lezeçëm.

Një reagim i një politikani tjetër është ai i Boris Johnson. Tre javë më parë, vizitoi një pavion ku kishte të shtruar njerëz të infektuar me koronavirus. Pasi doli nga pavioni tha përpara gazetarëve me mburrje: “I kam dhënë dorën çdo pacienti me koronavirus”. Ku është sot Boris Johnson? Është i sëmurë më koronavirus. Një udhëheqës i tillë nuk të inkurajon shumë, në këtë rast ka gabuar.

Më ka bërë përshtypje një gjë: në momentin që lindi frika, njerëzit fillimisht pushtuan supermarketet. Pashë britanikët që i mbushnin karrocat me letër higjienike. Ishte një skenë e pabesueshme . Britanikët e konsideronin letrën higjenike një gjë esenciale edhe në rrethanët e luftës. Unë nuk jam fare britanik, do të bëja edhe pa letër higjienike.

Një reagim tjetër ishte edhe i këngëtares së famshme,  Madona, e cila postoi në rrjete sociale një video me mesazh sensibilizues. Ajo ishte në dush, në vaskë të mbushur me qumësht dhe ishte e rrethuar me qirinj të ndezur. Aty, ajo lëshoi mesazhin: “Njerëz, koronavirusi nuk kursen askënd. Nuk do t’ja dijë as për famë as për pasuri dhe as për pushtet”.

Një reagim tjetër është i Vittorio Sgarbi i cili filmoi veten në shtëpinë e tij dhe po sulmonte ata që po dramatizonin situatën e krijuar nga koronavirusi.

Sipas tij ata po turpëronin kombin italian përpara botës dhe sipas tij ishte vetëm një grip. Por, më pas ai kërkoi ndjesë për këtë figurë të turpshme që bëri.

Histori të tilla ka pasur shumë. Këto ishin një pjesë e vogël e asaj që unë do ta quaja, gallata e koronavirusit”./abcnews.al