Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka vijuar sërish me deklarata të ashpra ndaj Papa Leoni XIV dhe NATO-s në një seri postimesh në rrjetin social Truth Social.
Në reagimin e parë, Trump u shpreh se “dikush t’i thotë Papa Leoni” se është “absolutisht e papranueshme” që Irani të ketë armë bërthamore.
Ai pretendoi gjithashtu se regjimi iranian ka vrarë “të paktën 42 mijë” protestues gjatë dy muajve të fundit.
Në një tjetër reagim, Trump përsëriti kritikat ndaj NATO-s, duke deklaruar se Aleanca “nuk ishte aty për ne dhe nuk do të jetë aty për ne në të ardhmen”.
Ai ka qenë shpesh kritik ndaj rolit të NATO-s, duke e akuzuar për mungesë mbështetjeje ndaj SHBA-ve në konfliktet ndërkombëtare.
Përplasjet me Papa Leonin vijnë pasi më herët gjatë javës, Trump e kishte cilësuar atë si “të dobët ndaj krimit dhe të tmerrshëm për politikën e jashtme”, duke shtuar se pa të në Shtëpinë e Bardhë, “nuk do të ishte në Vatikan”.
Nga ana e tij, Papa Leoni XIV iu përgjigj duke theksuar se do të vazhdojë të flasë kundër luftës dhe për paqen.
Ndërkohë, Trump publikoi edhe një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale ku shfaqej si Jezu Krishti, të cilin më pas e fshiu, duke pretenduar se synonte ta paraqiste veten “si një mjek që i bën njerëzit më mirë”.
Lidhur me NATO-n, presidenti amerikan ka shkuar më tej duke kërcënuar edhe me tërheqjen e SHBA-së nga aleanca, duke deklaruar se “SHBA-të nuk kanë nevojë për asgjë nga NATO”, një qëndrim që mund të ndikojë në balancat e sigurisë globale.
/abcnews.al/


