Donald Trump ka rikthyer retorikën e ashpër ndaj Iran, duke paralajmëruar pasoja ekstreme nëse Teherani ndërmerr sulme ndaj anijeve amerikane në Gjiri Persik.
Në një intervistë për Fox News, Trump deklaroi se Irani “do të zhduket nga faqja e dheut” në rast se guxon të godasë anijet amerikane që po shoqërojnë transportet detare në rajon.
Kjo deklaratë vjen pas pretendimeve të tij se lëvizja e lirë e anijeve në Gjirin Persik është siguruar me ndihmën e Marinës Amerikane dhe një marrëveshjeje indirekte me Iranin—pretendim që u mohua menjëherë nga Teherani.
Megjithatë, Trump theksoi se Irani ka treguar “fleksibilitet më të madh” në negociatat e paqes, duke lënë të kuptohet për zhvillime diplomatike në prapaskenë.
Nga ana tjetër, ai vuri në pah forcimin e pranisë ushtarake amerikane në rajon, duke deklaruar se SHBA ka rritur ndjeshëm kapacitetet e saj ushtarake.
“Kemi më shumë armë dhe municione se kurrë më parë, me pajisjet dhe bazat më të mira ushtarake në botë. Mund t’i përdorim dhe do t’i përdorim nëse është e nevojshme”, u shpreh ai.
/abcnews.al/


